Prapaskenat e Koroegrafisë, 17/05

Jeta ultras në vendin tonë është shumë e komplikuar, nga faktorë të ndryshëm, kryesisht është fjala rreth futbollit modern, edhe pse nuk ka arritur në vendin tonë në formën e sajë të plotë ashtu siç është në vendet tjera europiane, megjithatë ndjehet bukur mirë në futbollin e F.Y.R.O.M, kjo shihet qartë në terminet e ndeshjeve ku pa një pa dy, ndryshohen ashtu siç i kujtohet federatës, edhe atë 3-4 ditë para takimit të planifikuar, dhe kjo ndikon drejpërsëdrejti në shumë çështje të ndryshme, përveç kësaj ndalesat për udhëtime janë bërë të zakonshme dhe askush nuk e ngrit zërin për këtë fenomen.

Sa i përket koreografisë së Ballistëve në ndeshjen e fundit ka qenë një përgjegjësi dhe guxim në të njejtën kohë për kryesinë dhe grupin punues 92′ përshkak se e kishim të shqiptuar dënimin nga federata që edhe ndeshja e fundit do të ishte pa publik, dhe nuk dihej se si të veprohej të fillohet me punimin e koreografisë apo jo.

Pastaj pas një diskutimi të kryesisë së ngushtë të Ballistëve u morr një vendim sa i guximshëm po aq i rezikshëm dhe u vendos që të fillohet me punimin e koreografisë ditën e shtunë të javës së shkuar edhe pse nuk dihej ende a do të tërhiqet vendimi nga FFM.

Duke marrë parasysh përmasat e mëdhaja të koreografisë 24m gjatësi dhe 10m gjërësi duhej të fillohej që herët puna, përndryshe nuk do të arrihej qëllimi.

E veçanta e kësaj koreografie është që përveç artistit që është edhe Ballist njëri prej nesh, në punimin e koreos kanë marrë pjesë edhe grupi punues duke marrë një përvojë të mirë dhe eksperiencë të bukur se si punohet një koreografi e tillë me aq shumë hijëzime dhe detaje të ngjyrave.

Ashtu siç ditët kalonin edhe puna po përshpejtohej që të mund të arrihet në kohë përfundimi i koreografisë, në mesjavë kur doli lajmi që dita e ndeshjes është ndryshuar për një ditë më herët edhe më shumë na u vështirsua gjendja dhe të themi të drejtën na vuri në siklet të madh, mirëpo grupi arriti ta menaxhojë këtë situatë, dhe zgjidhja e vetme ishte angazhimi edhe më i madh.

Pas përfundimit të punës së tyre private grupi pasditet do të përveshë krahët dhe deri në orët e vona të natës diku ora 2 pas mesnate do të qëndrojë në sallë.

Koreografija përfundoi ditën e premte, 7 ditë të plota punë intensive, dhe në fund ishim të lumtur që kaluam këtë sfidë, me përkushtim të madh, njëherit u dëshmua dashuria, uniteti dhe pasioni i jonë ndaj klubit, dhe dashuria që mbretëron nëmes shoqërisë sonë të ngushtë të Ballistëve, duke qëndruar krah përkrah njëri tjetrit në momente të vështira, kjo është shoqëria jonë reale dhe jo fallco, me plotkuptimin e fjalës vëllezër, që shumë pak mund të gjindet në këtë kohë globalizmi dhe interneti ku gjithçka është shndërruar në çështje materiale.

Kuptimi i koreografisë është paksa i pazbuluar dhe kërkon shpjegim shtesë, përveç asaj që duket qartë se është ngritur trofeu nga disa lojtarë dhe Shkëndija është kampione, kuptimi i thellë i saj është që këtë trofe janë duke e ngritur lartë edhe Ballistët, kjo kështu sepse edhe përskaj ndalesave, padrejtësive që po na bëhen ne përsëri dolëm fitimtarë bile më të fortë se kurrë, duke treguar edhe njëherë se nuk mund të ndalosh diçka që buron nga zemra dhe është pjesë e pandashme e qënies tonë.

Gjithçka përfundoi ne jemi Ballistët, ne jemi Kampionë 🏆

Lini një Përgjigje